Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes Avni Dehari, ka njoftuar se ka thirrur vazhdimin e seancës për datën 9 shtator, në orën 11:00.
Përmes një postimi në Facebook, Dehari e cilësoi si lajm të mirë marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por theksoi se ende nuk ka qartësi të plotë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e institucioneve.
“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, ka shkruar Dehari.
Ai ka deklaruar se deri në këtë datë pret që marrëveshja politike të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe gatishmëri të deputetëve për të përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese.
“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka theksuar Dehari.
Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Seanca e fundit për këtë çështje u mbajt një ditë më vonë, ndërsa që prej atëherë nuk ishte thirrur vazhdimi i saj.
Ndërkohë, LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë arritur marrëveshje që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president. Megjithatë, kundër marrëveshjes janë shprehur deputetët e LDK-së Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.
