Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu në një intervistë për “Kjo Javë” në News24, bëri një krahasim të parlamentit që ishte në ’92-in dhe atij sot, ndërsa theksoi se ky regjim, duke sulmuar qeverinë Rama, nuk pranon dialog.
Ai tha për gazetaren Nisida Tufa se tashmë ky regjim do përmbysur me lëvizje popullore, që sipas tij nuk nënkupton Berishën në krye, por zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Parlamenti i 92 ka pasur nga të dyja palët elemente intelektuale. Sot ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Unë kam qenë ministër dhe ne uleshim dhe diskutonim me parlamentaret e PS-së, diskutonim me ta. Ndërsa sot ky regjim nuk pranon dialog, asnjë mendim nga opozita. Ku është degradim dhe shkatërrim i demokracisë. Sot shoh një PD që ka asete, trashëgime. Ti ke Berishën që është simbol. Në disa gjëra sot Berisha është më i pjekur, ndërsa për entuziazmin dhe shtirjen e reformave është i njëjti. Unë do të votoj për Sali Berishën, kushdo tjetër të jetë përballë. Nuk shoh figurë tjetër që të ketë ato vlera që ka ai. Çështja e ‘Non gratës’ është e mbyllur. U stimulua nga kjo qeveri, nga Sorosianët dhe disa elemente nga PD. Ishte një komplot nga PD për t’i marrë drejtimin e PD. Sot ky komplot ka marrë goditjen e tij. Sot atmosfera dhe terreni demokratik është i vështirë se në ‘92. Sot është një regjim që rrezikon reformat. Sot PD është një parti e hapur, e bashkuar. Në politikë nuk ka 100% bashkim, ka dhe lëvizje e fraksione, hyrje dhe dalje.
Nuk na tremb kjo gjë. Sot ka gjetur një unifikim të madh, edhe të atyre që më parë kishin kontestim të fortë pasi kishin rënë pre e këtij komploti. Kishte dhe nga ata që u përdorën si pjesë e komplotit. Sot është parti që duhet të punojë më shumë, por është solide. Rama, po ta marrësh nga elementi moral, është i rrëzuar. Nga elementi i regjimit, e kam thënë më parë; regjimet nuk rrëzohen me votë, por me lëvizje popullore. Lëvizja popullore nuk është që të vijë Berisha në pushtet. Por të ndalohet regjimi dhe të bëhen zgjedhje të lira. Po nuk pati votë të lirë nuk ka alternativa. Protesta e 22 marsit, është ditë historike. Pas 22 marsin nuk do të kishte ndryshime jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Mendoj se do të ketë lëvizje e pjesëmarrje.”, tha ai.
