Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të premten se ushtria ukrainase është në kontroll të zonës kufitare nga ku forcat ruse hynë dhe nisën sulmin në shkallë të gjerë në Kharkiv. Raporti specifik i presidentit ukrainas, pas takimit që pati me zyrtarët rajonalë, bie ndesh me komentet e zyrtarëve rusë.

Deputeti rus Viktor Vodolatsky tha, sipas agjencisë së lajmeve TASS, se forcat ruse kontrollojnë më shumë se 50% të qytetit Vovchansk, i cili ndodhet pesë kilometra larg kufirit. Ai pretendoi se pas Vovchansk, forcat ruse do të synonin qytetet Sloviansk, Kramatorsk dhe Pokrovsk në rajonin e Donetsk.

Agjencia e lajmeve Reuters thekson se nuk është në gjendje të verifikojë raportet për zhvillimet në fushat e betejës. Forcat ruse këtë muaj nisën një ofensivë në shkallë të gjerë në rajonin e Kharkiv, me Ministrinë ruse të Mbrojtjes që njoftoi se kontrolli i 12 vendbanimeve ishte siguruar.

Megjithatë, presidenti ukrainas dhe zyrtarë të tjerë flasin për suksese të ushtrisë ukrainase dhe “stabilizim” të situatës. Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha të premten mbrëma se situata në Vovchansk është “e tensionuar, por nën kontroll”. Sipas raporteve ukrainase, forcat e Kievit po mbajnë pozicionet e tyre rreth Bovchansk, ndërsa pushtuesit rusë po zgjedhin kryesisht për sulme me rreze të gjatë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb