Qyteti i Korçës, në juglindje të Shqipërisë mbetet një ndër qytetet që përkrah ndryshimeve, ka ditur ta ruajë trashëgiminë. Në Korçë gjatë viteve të fundit ka pasur investime të mëdha. Kjo gjë vihet re dukshëm, qoftë nga vetë korçarët, por edhe ata që e vizitojnë për turizëm qytetin juglindor, dhe që vitet e fundit nuk janë të paktë. Vizitorët vlerësojnë tek Korça bukurinë e qytetit, klimën, qetësinë, mikpritjen, vlerat historike dhe kulturore, ndërthurjen e traditës me modernen dhe ruajtjen e cdo karakteristike, që nga ndërtesat e ulëta, pazari i vjetër e deri te kalldrëmet. Ish-kreu i bashkisë së Korçës, tashmë numri dy qeverisë, Niko Peleshi ia atribuon këtë, së pari qytetarisë Korçare.

Historia e Korçës është shkruar tek rrugicat me kalldrëm, mbi gurët e të cilave qëndron edhe zanafilla e qytetërimit. Atje ku shtëpitë karakteristike, sipas stilit italian, vazhdojnë t’i rezistojnë kohës, por që në të njëjtën kohë kanë ndjerë edhe dorën e investimeve. Një nga zonat për të cilën shumë vendas krenohen, janë lagjet e vjetra korçare, me shtëpitë e bukura, rrethuar me kangjella dhe rrugë të shtruara me kalldrëm.

PARKU RINIA
Aty ku përfundojnë rrugicat e kalldrëmta të qytetit, nis Parku “Rinia”, aty ku korcarët kanë bërë gjithmonë xhiron e famshme, duke shijuar ajrin e pastër, gjelbërimin dhe qetësinë. Për dekada me radhë ky park është ruajtur nga qytetarët si i shenjtë, e kur gjurmët e kohës nisën të bëhen të dukshme, lindi nevoja e një investimi madhor.

Gjatë realizimit të projektit të “Parkut rina, dilema për të ruajtur të paprekur modelin e parë, nuk ka munguar. Bashkia do të vendoste për një rimodelim të tij, duke gërshetuar tradicionalen dhe modernen. Për Niko Peleshin, parku është kthyer në një “gur të çmuar”, një pikë ndalese pasi askush nuk ikën nga Korça pa e vizituar atë.

Niko Peleshi, sot zëvendëskryeministri i Shqipërisë ndihet I lumtur që përvojën e fituar në Korçë të mund ta zbatojë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Për këtë vit qeveria ka akorduar një fond prej rreth 150 mln dollarësh, 100 prej të cilave dedikuar vetëm për projekte urbane në qytete.

Duke shëtitur në “parkut rinia” të Korçës sodisim elementët modernë që kuratorët kanë futur në një kënd të tij. Tashmë në këtë vend, ka marrë jetë edhe një projekt i njohur “simpoziumi i skulpturave të parkut”, që mbledh skulptorë nga çdo vend i botës.

Kjo risi, ashtu siç ishte dhe kulla e Korçës nuk ka qenë e gjithëpranuar. Madje është sulmuar e anatemuar jo pak, por për Peleshin mbi konservatorizmin e tepruar duhet të triumfojnë edhe gjurmët e brezit të ri.

“Qytetet e fëmijëve” është një program i qeverisë shqiptare që synon të sigurojë infrastrukturën e nevojshme për edukimin dhe argëtimin e fëmijëve, e që në Shqipëri kanë munguar. Një qasje ndaj fëmijëve që në Korçë nuk ka munguar, me këndet sportive të krijuara për ta, një investim ky prej 5 milion dollarësh, i qeverisë dhe fondit të zhvillimit të rajonave.

Pedonalja e Korçës, një nga projektet më të kontestuara në Korçë së bashku me kullën panoramike të Korçës. Por çdo ndryshimi i madh, sipas numrit dy të qeverisë, kundërshtohet… Në këtë kuadër edhe kulla panoramike e Korçës, një objekt kontravers nuk mund të jetë i pëlqyer nga të gjithë, por sipas Peleshit, gjeneron shumë të ardhura për bashkinë e këtij qyteti.

Peleshi thotë se qytetarëve të Korçës iu është rikthyer zemra e qytetit. Atë që deri dje e kishin zaptuar makinat dhe kaosi, sot mund ta shijojnë qytetarët dhe kjo do të ndodhë edhe në qytete e tjera.

Duke përshkuar pedonalen ajo të çon drejt zonës tradicionale të Korcës, që është pazari i vjetër, i cili është restauruar tërësisht. Tashmë sfida e radhës është kthimi i këtij ansambli muzeal, në një zonë atraktive për vizitorët gjithnjë e në rritje.

Në këtë kuadër po hartohet një legjislacion specific për zonat “BIT”, (Biznes improvment district). Zonat e mbështetjes së biznesit, ku bizneset marrin në dorë administrimin e qendrës..

Frymës për të ruajtur deh zhvilluar vlerat më të spikatura të Korçës, i është bashkuar edhe Fabrika “Birra Korça”. Një objekt me vlera arkitekturore për qytetin, pjesë e guidave për t’u vizituar nga turistët, kjo edhe në sajë të cilësisë së birrës së parë shqiptare që ka njohur tashmë edhe tregjet e huaja.

Për arkitektin Pandush Sterjanai, Korça është në avangardë të zhvillimeve dhe vlerave historike të vendit tonë.

Edhe qytetarët korçarë e shohin Korçën si dukuri. Investimet e kryera sipas tyre nuk e kanë dëmtuar traditën e saj.

Korça mbetet një nga qytetet më të dashura për këdo që e viziton atë. Ajo ka bukurinë, kulturën, traditat e hershme, mikpritjen, dhe shumë vlera të tjera që e identifikojnë atë mes shumë qytetesh tjera.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: