Në qarkun e Korçës ka nisur viti i ri shkollor 2025-2026, i shoqëruar me hare e emocione që shihen në fytyrat e nxënësve,sidomos ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Nga ana tjetër përpos këtij gëzimi statistikat tregojnë një rënie të ndjeshme të numrit të fëmijëve që nisin shkollën.
Në krahasim me një vit më parë, numri i nxënësve është ulur me 784 më pak, duke e çuar totalin e regjistrimeve në 19340 nxënës nga 21,080 të regjistruar vitin e kaluar.
Rënia më e madhe është evidentuar në klasat e para ndërsa shkaku kryesor i kësaj situate lidhet me emigracionin e të rinjve dhe uljen e ndjeshme të lindshmërisë. Pasojat po ndihen jo vetëm në shkollat e fshatrave, por edhe në qytetin e Korçës, ku disa institucione arsimore përballen me rrezikun e humbjes së statusit.
Tre shkolla të qytetit – “Naim Frashëri”, “Ismail Qemali” dhe “Asdreni” – ndodhen në kufirin minimal të numrit të nxënësve të nevojshëm për të patur drejtori më vete, çka mund t’i kthejë ato në shkolla vartëse.
Nga e gjithë kjo situatë edhe pse ka një numër të lartë mësuesish pa ngarkesë mësimore,ata do të përfitojnë nga kontrata kolektive duke u sistemuar si mësues ndihmës.
