Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Korenë e Jugut se do të bënte një gabim të madh nëse armatos Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
Komentet e tij vijnë pasi Seuli tha se po shqyrtonte një mundësi të tillë, në përgjigje të paktit të ri të Rusisë dhe Koresë së Veriut për të ndihmuar njëri-tjetrin në rast të “agresionit” kundër secilit vend .
“Moska do të marrë vendime që nuk ka gjasa të kënaqin udhëheqjen aktuale të Koresë së Jugut, nëse Seuli vendos të furnizojë me armë Kievit”, u tha Putin gazetarëve.
Udhëheqësi rus foli nga Vietnami, menjëherë pas një vizite në Phenian, ku nënshkroi një marrëveshje të ndërsjellë të mbrojtjes me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Seuli e kishte dënuar më herët marrëveshjen si një kërcënim për sigurinë e tij kombëtare dhe këshilltari i sigurisë kombëtare Chang Ho-jin tha se vendi i tij planifikoi të “rishqyrtojë çështjen e mbështetjes së armëve për Ukrainën”.
Pas komenteve të Putinit, zyra presidenciale e Koresë së Jugut tha se do të shqyrtonte opsione të ndryshme në furnizimin me armë në Ukrainë dhe qëndrimi i saj do të varet nga mënyra se si Rusia i qaset kësaj çështjeje.
Ndërsa Koreja e Jugut i ka dhënë Ukrainës ndihma humanitare dhe pajisje ushtarake, ajo deri më tani ka refuzuar të sigurojë armë vdekjeprurëse pasi ka një politikë zyrtare për të mos armatosur vendet në luftë.