Koreja e Veriut ka kryer një tjetër test raketor, duke lëshuar një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi në drejtim të detit pranë bregut të saj lindor, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut. Ky është lëshimi i parë i tillë nga Pheniani në më shumë se 40 ditë, pas një serie testesh të kryera në fillim të këtij viti. Raketat u lëshuan nga zona e Wonsanit, në bregun lindor të Koresë së Veriut, rreth orës 11:00 sipas orës greke.

Testi vjen pak përpara stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat pritet të zhvillohen gjatë këtij muaji. Uashingtoni dhe Seuli deklarojnë se këto ushtrime kanë për qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe parandalimin ndaj kërcënimeve bërthamore e raketore të Phenianit, ndërsa Koreja e Veriut i konsideron ato si përgatitje për një pushtim të mundshëm.

Zyra presidenciale e Koresë së Jugut zhvilloi një takim urgjent të sigurisë pas lëshimit dhe e cilësoi testin si një akt provokues që shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Edhe ushtria amerikane konfirmoi se ishte në dijeni të lëshimit dhe se po bashkëpunonte ngushtë me aleatët në rajon. “Ky incident, sipas vlerësimeve aktuale, nuk përbën një kërcënim të menjëhershëm për personelin amerikan, territorin amerikan apo aleatët tanë. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për mbrojtjen e territorit të tyre dhe të partnerëve në rajon”, deklaroi Komanda e Paqësorit e SHBA-së.


Ekspertët vlerësojnë se testi i fundit mund të jetë një përgjigje ndaj zhvillimeve të fundit ushtarake në rajon. Profesoresha Lim Eul-chul nga Instituti i Studimeve të Lindjes së Largët në Universitetin Kyungnam tha se lëshimi mund të lidhet me kritikat e fundit të Kim Yo Jong, motrës së liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, ndaj vendimit të Japonisë për të zhvilluar kapacitete raketore Tomahawk.

Pheniani ka kryer disa prova armësh gjatë këtij viti, përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, sisteme artilerie dhe armë të tjera taktike.

Testi i fundit i konfirmuar nga autoritetet koreano-veriore, në fund të qershorit, përfshinte një sistem të përmirësuar të raketave të shumëfishta 240 mm, raketa balistike taktike dhe një obus vetëlëvizës 155 mm, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA. Ndërkohë, ushtria e Koresë së Jugut ka rritur nivelin e gatishmërisë dhe po shkëmben informacion me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë për të monitoruar çdo lëvizje të re ushtarake nga Pheniani. Edhe qeveria japoneze raportoi se Koreja e Veriut kishte lëshuar një objekt që dyshohet të ketë qenë raketë balistike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: