Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, udhëhoqi një paradë të madhe ushtarake, në të cilën u shfaq raketa e re balistike ndërkontinentale para personaliteteve të ftuara ndërkombëtare, raportoi të shtunën media shtetërore, KCNA.
Parada, e cila filloi të premten në mbrëmje, shënoi 80-vjetorin e themelimit të Partisë së Punëtorëve në pushtet dhe pasoi festimet e mbajtura të enjten.
Kryeministri i Kinës, Li Qiang, ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, si dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam, u panë pranë Kimit gjatë paradës, ndërsa personalitete të tjera të huaja e ndoqën ngjarjen nga tribuna.
Në paradën ushtarake, Koreja e Veriut – vend i armatosur me armë bërthamore – shfaqi raketën e saj më të avancuar ndërkontinentale: Hëasong-20, e cila u përshkrua nga KCNA si “sistemi më i fuqishëm strategjik bërthamor” i vendit.
Seria e raketave Hwasong i ka dhënë Koresë së Veriut aftësinë për ta shënjestruar çdo pjesë të territorit amerikan, megjithatë ka ende dyshime lidhur me sofistikimin e sistemit të drejtimit për ta arritur cakun, si dhe për aftësinë e kokës bërthamore për ta përballuar rihyrjen në atmosferë.
“Hwasong-20 përfaqëson, për momentin, kulmin e ambicieve të Koresë së Veriut për armë bërthamore me rreze të gjatë veprimi. Duhet të presim që sistemi të testohet para fundit të këtij viti”, tha Ankit Panda nga Instituti Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, me seli në SHBA.
“Sistemi ka gjasa të jetë projektuar për shpërndarjen e shumë koka luftarake… Shumëfishimi i tyre do të shtojë presionin mbi sistemet ekzistuese të mbrojtjes raketore të SHBA-së dhe do të forcojë atë që Kim e sheh si të nevojshme për të arritur efekt të qëndrueshëm frikësimi ndaj Uashingtonit.”
Ndër armët e tjera të shfaqura në paradë ishin raketa balistike hipersonike, raketa lundruese, një lloj i ri i raketahedhësve të shumëfishtë dhe një hedhës për dronë vetëvrasës, tha Hong Min, analist i Koresë së Veriut në Institutin Korean për Unifikim Kombëtar.
