Vazhdon të rritet numri i rasteve të infektuara nga koronavirusi, në Itali. Janë 132 persona që kanë rezultuar deri tani pozitiv nga koronavirusi, mes të cilëve 89 në Lombardi dhe 24 në Veneto, ka thënë shefi i mbrojtjes civile Angelo Borelli.

Mes tyre 25 janë shtruar në terapi intensive. Vazhdojnë testet për personat që kanë pasur kontakte me të infektuar. Ndër të tjera Veriu ‘blindohet’. Në qytetet e vatrës ndalohet hyrja dhe dalja nga zona. Shkollat dhe universitetet janë të mbyllura në të gjithë Lombardinë, për një javë por edhe në Veneto dhe Piemonte.

Governatori Fontana ka pezulluar edhe të gjithë eventet publike në zonën e prekur.

Nuk do të ketë pezullim Shengen
“Aktualisht nuk ka masa për të kërkuar dhe pezullimin e Traktatit të Shengenit dhe veçanërisht lëvizjen e lirë të personave. Një masë drakoniane është aktualisht në vend dhe një mase tjetër nuk përputhet me nevojat e mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve italianë”. Kështu deklaroi kryeministri Giuseppe Conte gjatë konferencës për shtyp në fund të mbledhjes së këshillit të Ministrave në selinë e Mbrojtjes Civile.

Bllokimi i vendkalimeve dhe lëvizjes së njerëzve do të ishin “masa jo adekuate dhe plotësisht joefektive”, të cilat do të kishin “një ndikim shkatërrues në ekonominë tonë”. “Çfarë duam ta bëjmë Italisë një stacion karantine?” shtoi Conte, duke iu përgjigjur indirekt forcave të opozitës që e kërkojnë prej ditësh këtë gjë.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb