Pas alarmit të ngritur nga deputeti i PD, Saimir Korreshi për sigurinë e bombolave të oksigjenit në Spitalin Rajonal Lushnjë, Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë deklaratën e drejtuesve të spitalit ku sqarojnë se dokumentacioni i cituar nga deputeti, i referohet periudhës para 31 dhjetorit 2024, dhe nuk ka pasur ndonjë incident të regjistruar që të rrezikojë pacientët ose punonjësit.
“Reparti i oksigjenit nuk ka një pozicion formal përgjegjësie në organikë; për nevoja organizative, është ngarkuar një punonjës teknik me arsim përkatës, sipas praktikave të institucionit.
Fikëset e zjarrit janë të instaluara dhe funksionale, ndërsa bombolat e oksigjenit furnizohen nga operatori kontraktues, i cili mban përgjegjësi për gjendjen teknike të tyre. Ministria thekson se deri më sot nuk ka pasur avari teknike apo shpërthime.
Gjithashtu, zhvendosja e pavijoneve si pjesë e rikonstruksionit është kryer sipas një plani të miratuar, duke respektuar standardet teknike dhe me dijeni të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Drejtoria e spitalit thekson se mbetet e angazhuar për sigurinë e pacientëve dhe punonjësve, dhe është e hapur për çdo verifikim nga autoritetet kompetente”, thuhet në deklaratën për mediat të Shëndetësisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Korreshi deklaron se është vënë në dijeni të disa dokumenteve dhe relacioneve të punonjësve të repartit të oksigjenit, ku sipas tij evidentohet mungesë e theksuar e kushteve të sigurisë teknike. Sipas shkresës së datës 13 dhjetor 2024, specialistët kanë paralajmëruar për rrezik maksimal dhe mundësi katastrofe për shkak të kushteve në repartin e gazeve mjekësore.
