Juristi dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, ka ngritur alarmin mbi mënyrën si po përdoren autorizimet për kontrollin e telefonave nga organet e hetimit në Shqipëri. I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Ndreca u shpreh se sot në vend po kryhen veprime që nuk kanë bazë ligjore dhe përbëjnë shkelje të rëndë të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

“Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa vendime pozitive, por kryesisht për proporcionalitetin në rastet e hapjes së telefonave,” tha Ndreca. Ai theksoi se Kushtetuta shqiptare garanton qartë mbrojtjen e korrespondencës private, dhe se aktualisht nuk ekziston asnjë ligj i posaçëm që të lejojë hapjen e komunikimeve private në telefonat celularë.

“Sot nuk ka asnjë ligj që rregullon hapjen e komunikimeve private në telefon. Ka ligj për përgjimet, por jo për hapjen e korrespondencës. Kjo është një nga tre shtyllat kryesore të jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut,” tha Ndreca, duke nënvizuar se këto veprime nuk janë as të bazuara në vendime gjyqësore të qarta, as proporcionale dhe, më e rëndësishmja, nuk janë të rregulluara me ligj.

Ai shtoi se prokurorët, në disa raste, po veprojnë përtej kufijve që u jep ligji, duke marrë të dhëna nga telefonat në mënyrë që ai e cilësoi si “barbare”.

“Fakti që nuk ka ligj nuk do të thotë se ke të drejtë të veprosh. Përkundrazi, nuk ke tagër të veprosh. Sot prokurorët bëjnë sikur janë ligji vetë dhe marrin kompetenca që nuk u takojnë,” deklaroi juristi.

Ndreca vuri theksin te nevoja për një ndërhyrje ligjore të qartë që të rregullojë qasjen ndaj komunikimeve private, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb