Gjyqtarët dhe prokurorët po shfrytëzojnë periudhën që janë në proces rivlerësimi, për të intensifikuar korrupsionin për interesa materiale në favorin e tyre.

Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) ka publikuar së fundmi raportin e monitorimit për vitin 2020, që përkon edhe me periudhën e pandemisë. Nga të dhënat e siguruara nga SHISH, duket se ndonëse për shumë sektorë pandemia ka ndikuar negativisht, për administratën, gjyqtarët dhe prokurorët që janë në proces rivlerësimi, pandemia ka shërbyer për “lulëzimin” e korrupsionit.

“Korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët”. Ajo që vihet re në raportin e SHISH, është fakti se prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët janë në proces vetingu dhe nuk kanë shpresë që të marrin “notë” kaluese, janë duke shfrytëzuar këtë periudhë për të “mbushur” xhepat. “Elementë të veçantë të këtij sistemi, të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të vetingut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv, nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi”. SHISHi njofton gjithashtu se po përdor metoda të reja teknologjike në veprimtarinë e tij, ndërsa sulmet kibernetike ndaj këtij institucioni nuk kanë munguar: “SHISH-i ka aplikuar metoda dhe teknologji të reja në mbrojtjen e perimetrave dhe parandalimin e çdo situate katastrofike nga sulmet kibernetike, referuar edhe kërcënimeve të shfaqura rishtazi edhe si pasojë e situatës pandemike. Gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, është hasur një aktivitet i shtuar keqdashës dhe kërcënues drejtuar infrastrukturës publike të SHISH-it”.

RAPORTI I SHISH PËR KORRUPSIONIN

Edhe gjatë kësaj periudhe, korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët. Në sistemin e drejtësisë, punonjës të veçantë (prokurori/ gjykata), janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, të shfaqur në forma si: ushtrim i ndikimit të paligjshëm dhe ndërveprimit korruptiv, me qëllim lehtësimin e pozitës së të pandehurit, nëpërmjet ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie, ose duke aplikuar dhënien e dënimit alternativ.

Elementë të veçantë të këtij sistemi, të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të vetingut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv, nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi. Pastrimi i produktit të veprës penale, kontrabanda e mallrave të akcizës, evazioni fiskal dhe cenimi i sigurisë ushqimore, evidentohen si format më të përhapura të krimeve në ekonomi.

SHISH-i ndërvepron me agjencitë ligjzbatuese në funksion të bashkëpunimit ndërinstitucional, si pjesë e Komitetit Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar, lidhur me zbatimin e aktit normativ nr. 1, datë 31.01.2020, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, si dhe në funksion të dhënies së mbështetjes informative për Operacionin Forca e Ligjit (OFL)./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb