Shërbimet ukrainase kundër korrupsionit njoftuan sot se kryen një operacion që zbuloi raste korrupsioni në sektorin energjetik të vendit, i cili është goditur rëndë nga sulmet e fundit ruse.

Njoftimi vjen pas disa muajsh tensionesh mes këtyre shërbimeve dhe qeverisë, në kuadër të diskutimeve për përpjekjet e Kievit në luftën kundër korrupsionit.
Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi sot se kushdo që përfshihet në korrupsion do të japë llogari dhe u zotua se operatori i energjisë bërthamore të vendit do të drejtohet pa korrupsion.

“Të gjithë ata që hartuan një skemë korrupsioni duhet të marrin një përgjigje të qartë ligjore. Duhet të ketë vendime në gjyqe penale”, tha Zelensky në fjalimin e tij të regjistruar natën, duke komentuar hetimin për ryshfete në sektorin energjetik të Ukrainës.

“Ndëshkimi i pashmangshëm është i domosdoshëm… Energoatom siguron aktualisht pjesën më të madhe të prodhimit të energjisë në Ukrainë. Transparenca brenda kompanisë është prioritet. Siç është në sektorin energjetik dhe në çdo industry”.

“Puna e kryer mundësoi marrjen e mijëra orëve regjistrimeve, që përbëjnë prova të veprimtarisë së një organizate kriminale të nivelit të lartë që zhvillon aktivitet në fushat e energjisë dhe mbrojtjes», shpjegoi Shërbimi Kombëtar Kundër Korrupsionit (NABU) në një njoftim.

Sipas të njëjtit burim, operacioni ‘Midas’, i zhvilluar pas 15 muajsh hetimesh në bashkëpunim me prokurorinë kundër korrupsionit (SAP), çoi në «70 kontrolle në shtëpi dhe ambiente të tjera», të cilat zbuluan një sistem kriminal që rrëmben fonde nga nënkontraktorët e ndërmarrjes publike të energjisë bërthamore Energoatom dhe «se gati 100 milionë dollarë» kaluan përmes kompanive të pastrimit të parave të pista.

Energoatom konfirmoi se është objekt hetimi dhe se bashkëpunon me të, pa komentuar thelbin e akuzave. Më herët, NABU publikoi foto që tregojnë çanta me kartëmonedha në euro dhe dollarë, por pa dhënë më shumë detaje për operacionin.

NABU dhe SAP u gjendën në shënjestër të një ligji të paraqitur nga qeveria dhe të miratuar në korrik, i cili parashikonte nënshtrimin e tyre ndaj kontrollit të drejtpërdrejtë të prokurorit të përgjithshëm, i cili emërohet nga presidenti i vendit.

Përballë protestave të shoqërisë civile dhe Bashkimit Evropian, dhe pas demonstratave – të parat në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus në 2022, qeveria njoftoi përfundimisht se do të «korrigjojë» ligjin.

Sektori energjetik është me rëndësi strategjike për Ukrainën, ndërsa Rusia e godet me raketa dhe dronë që nga fillimi i pushtimit të saj.
Në fund të tetorit, ish-drejtori i ndërmarrjes publike Ukrenergo, Volodymyr Kudrytsky, u akuzua për pjesëmarrje në përvetësimin e rreth 283.000 eurove në 2018 dhe u mbajt për një kohë të shkurtër në paraburgim në një çështje që, siç deklaroi vetë, u nxit nga motive politike.

Mediat ukrainase raportuan se NABU kishte kryer gjithashtu kontrolle në banesën e ish-ministrit të Energjisë dhe aktualisht ministrit të Drejtësisë Herman Galushchenko dhe të Timur Mindich, aleat i ngushtë i Volodymyr Zelenskyt.

“Lufta e sotme nuk zhvillohet vetëm në front. Është gjithashtu një luftë brenda sistemit, mes atyre që duan ndryshimin dhe atyre që duan të mbulojnë gjithçka me para dhe heshtje”, deklaroi Martina Boguslavets, aktiviste kundër korrupsionit, në rrjetet sociale.
“Aktualisht, asgjë nuk është e qartë”, tha më herët sot ndihmësi i presidentit Zelensky, Dmytro Litvin, për gazetarët. “Nëse NABU bëri punë të mirë, atëherë bëri punë të mirë, dhe kjo duhet mbështetur”, shtoi ai.

Ukraina përjeton, si Rusia dhe vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, një korrupsion endemik dhe reformat për eliminimin e saj janë vendimtare për realizimin e ambicieve të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb