Mbahet sot në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës e gjyqit të presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi.

Seanca i përket dosjes ku ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se Meta dhe Kryemadhi janë të dy të pranishëm në sallë, ndërkohë Ilir Meta ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokati Bujar Musta, pas revokimit të avokatit Kujtim Cakrani.

“Nuk më janë vënë në dispozicion të gjithë aktet me qëllim që procesi të zhvillohet në një kohë sa më te shpejtë”, ka deklaruar Meta në seancë.

Ndërkohë gjykata është shprehur se aktet janë gati prej kohësh, por avpokati mbrojtës i Metës ka refuzuar t’i marrë.

Avokati i kreut të PL-së, Meta, gjithashtu ka kërkuar të mos përdoren si prova në proces mesazhet telefonike, të mos përdoret dëshmia e të ndjerit Dritan Prifti, si dhe të mos përdoren si prova intervistat e Vojsava Ismailajt dhe Ervis Matës.

Po ashtu ai ka kërkuar të pyetet në mënyrë të drejtpërdrejtë Josef Hejsek.

Ndërsa Meta ka deklaruar që Vojsava Ismailaj e dha intervistën pas një SMS-je.

Meta: E dha intervistën pas një SMS-je që më dërgoi dhe unë refuzova ta takoj. Kam njoftuar më 5 janar Prokurorin e Përgjithshëm dhe nisi një çështje, pasi zonja kishte lidhje me elementë destabilizues. Të pyetet si dëshmitare.

Nga ana tjetër avokati i ish-deputetes së PL-së, Monika Kryemadhi është shprehur se çështja nuk është gjyqësore, por politike.

Sa i përket çështjes së pyetjes të kushëririt të Kryemadhit, avokati ka kërkuar pyetjen e Adrian Shatkut nëpërmjet letërporosisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb