Skandali i korrupsionit po trondit kryesinë e ushtrisë kineze. Gjatë fundjavës u njoftua se një nga dy nënkryetarët e Komisionit Qendror Ushtarak, Zhang Youxia, si dhe një gjeneral tjetër i nivelit të lartë, Liu Zhenli, po hetoheshin për “shkelje të rënda disiplinore”. Në terminologjinë e propagandës kineze, kjo do të thotë se të dy u liruan nga detyrat e tyre për shkak të korrupsionit.
Komisioni Qendror Ushtarak është komanda supreme e përbashkët e të gjitha degëve të forcave të armatosura të Kinës: ushtrisë, marinës, forcave ajrore, forcave raketore, policisë së armatosur, ushtrisë kibernetike dhe milicisë popullore si forcë rezervë.
Presidenti i tij është Xi Jinping, i cili është gjithashtu President i Kinës dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste në pushtet. Nga këto tre funksione, udhëheqja e komisionit ushtarak konsiderohet më e fuqishmja.
Edhe themeluesi i shtetit, Mao Ce Dun, mendonte kështu: pushteti politik vjen nga gryka e një pushke. Për shkak të kësaj, në vitin 2005, Presidenti i atëhershëm Jiang Zemin ia dorëzoi kontrollin e komisionit ushtarak pasardhësit të tij Hu Jintao me një vonesë të konsiderueshme – gjashtë muaj pasi ai dha dorëheqjen nga dy postet e mbetura.
Gjeneral me përvojë lufte
Gjenerali Zhang është i vetmi në atë treshe udhëheqëse që arriti të ngrihej nga një ushtar i zakonshëm në gradën më të lartë të oficerit në forcat e armatosura. Ai u bashkua me ushtrinë në vitin 1968 në moshën 18 vjeç. Në vitet 1979 dhe 1984, ai komandoi një regjiment dhe, ashtu si një gjeneral tjetër i rrëzuar, Liu Zhenli, mori pjesë në luftën kufitare kundër Vietnamit.
Pas fitores, Zhang u nderua. Më vonë ai shërbeu si komandant i përgjithshëm i ushtrisë në Kinën verilindore, përpara se të merrte një post komandues të ushtrisë në Pekin.
“Rasti është mjaft i habitshëm,” thotë shkencëtari politik Ying-Yu Lin i Universitetit Tamkang të Tajvanit. “Komisioni ushtarak tani nuk ka askënd në udhëheqjen e tij me përvojë lufte. Kjo është e dyshimtë.”
Presidenti Xi dhe zëvendësdrejtuesi i dytë janë oficerë politikë pa asnjë përvojë luftimi. Shtatëdhjetë e pesë vjeçari Zhang, si delegat ushtarak, është gjithashtu anëtar i rrethit më të ngushtë të udhëheqjes së partisë, Byrosë Politike me 25 anëtarë të PK-së.
Ai ishte ndoshta i preferuari i Xi Jinping, pasi ngritja në detyrë e tij nuk përputhej me praktikën e zakonshme. Në moshën 72 vjeç në atë kohë, ai duhej të dilte në pension në vitin 2022. Por thuhet se ka edhe një afërsi familjare: Babai i Zhang shërbeu së bashku me babanë e Xi dhe vinte nga e njëjta provincë.
Një shkelje e dukshme e besimit
“Tani Xi Jinping padyshim nuk i beson më atij,” supozon shkencëtari politik Lin. “Të gjitha spekulimet se pse Zhang ra nga favori – qoftë korrupsion, ryshfet apo edhe akuza se ai po spiunonte për shërbimet e inteligjencës së huaj, siç raportohet nga media amerikane – janë të parëndësishme nëse besimi mbetet, e nëse jo, krimi është vetëm një formalitet.”
Lin beson se Xi dëshiron të riformësojë strukturën e lidershipit. Zyrtarët politikë tashmë i janë nështruar rregullit dhe pabesia është ndëshkuar. Tani gjeneralët kanë hyrë në fokusin e tij.
Që në tetor, autoritetet kineze njoftuan fillimin e hetimeve për korrupsion kundër nëntë përfaqësuesve ushtarakë. Kina nuk ka zhvilluar luftë për dekada të tëra, por sidomos me manovrat detare përgjatë bregdetit të saj të Paqësorit, ajo po demonstron gjithnjë e më shumë fuqinë e saj ushtarake në mënyrë që të shtyjë praninë e fortë të SHBA-së. Në vitin 2025, shpenzimet ushtarake arritën në rreth 220 miliardë euro./DW
