Vokshi: Korrupsioni në Shqipëri po vret përmes koncesioneve, PPP-ve dhe kontratave në Shëndetësi! Paratë shkojnë tek oligarkët dhe klientët e qeverisë

Deputetja e PD, Albana Vokshi ishte në Asamblenë Parlamentare, ku në fjalën e saj ka denoncuar korrupsionin në Shqipëri si një sistem të rrënjosur që po shkatërron institucionet dhe ekonominë.

Vokshi theksoi se përmes PPP-ve, koncesioneve dhe kontratave në shëndetësi, paratë publike përfundojnë te oligarkët, ndërsa qytetarët nuk marrin shërbime.

Vokshi kërkoi shembjen e këtij sistemi dhe theksoi se të gjithë kanë një rol në luftën kundër korrupsionit.
“Faleminderit shumë që më jepni sërish mundësinë për të folur mbi një çështje që është shumë problematike në të gjithë rajonin, por veçanërisht në vendin tim, në Shqipëri.

Pikërisht, për këtë arsye kërkova ta kem këtë mundësi për të folur. Është koha të flasim me zë të lartë për një plagë që e përpin një komb në heshtje nga brenda. Pra, për KORRUPSIONIN.
Korrupsioni nuk është një çështje politike. Korrupsioni është fenomeni më negativ se çdo fenomen tjetër. Është si një sëmundje që ka përhapur metastazat në të gjitha nivelet e shoqërisë; fenomen që shkatërron institucionet, paralizon ekonominë dhe ul besimin e publikut.

Korrupsioni është vjedhje, por nuk vjedh vetëm para. Ai vjedh mundësitë, vjedh dinjitetin, vjedh drejtësinë.

Korrupsioni prodhon pabarazi, largon investimet e huaja.

Shteti i së drejtës shndërrohet në një sistem që shpërblen krimin dhe jo meritat.
Çdo ryshfet i paguar, çdo kontratë e manipuluar, çdo institucion i kapur nga interesat private, nga oligarkët, është një goditje në zemër të demokracisë.

Askund kjo nuk është më e dukshme dhe më e dhimbshme sot se sa në Shqipëri. Një vend i pasur me potencial, me burime njerëzore dhe natyrore. Një vend i bukur. Ka dete, male, liqene, gjithçka. Ka njerëz të mirë, por qeveri të keqe.

Korrupsioni nuk është më një fenomen i rastësishëm – ai është shndërruar në institucion. E gjen në kontratat publike, në partneritetet publike-private, në koncesione, tendera dhe shërbime. Është në proceset e prokurimit. Korrupsioni është i pranishëm në sistemin e Drejtësisë, në polici, në pushtetin lokal dhe atë qendror.
Korrupsioni është si një shtet paralel hije që po vjedh të ardhmen e fëmijëve tanë.

Korrupsioni po vret njerëz. E keni parë së fundmi. Ka vrarë në Serbi, por edhe në Shqipëri po vret përmes koncesioneve, PPP-ve dhe kontratave në sektorin e shëndetësisë, sepse njerëzit nuk marrin shërbime shëndetësore. Paratë shkojnë tek oligarkët dhe klientët e qeverisë.

Indekset ndërkombëtare kanë dhënë alarmin vazhdimisht.

– Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International e rendit Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara të Europës.
– E njëjta gjë vlen edhe për raportet e progresit të BE-së.

Le të jemi të qartë: korrupsioni në Shqipëri nuk ka të bëjë me disa njerëz të këqij. Ka të bëjë me një sistem që duhet shembur.

Dhe këtu të gjithë kemi rolin tonë.
Ju faleminderit shumë”, tha ajo.


(BalkaWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb