Qeveria e Kosova ka mbajtur seancë solemne me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti u shpreh se shteti, pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli i Kosovës janë të lashta.

“Vërtetë shteti, pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti ynë është ndërtuar dhe qëndron mbi vlerat e lirisë e demokracisë, barazisë e drejtësisë, prosperitetit dhe përfshirjes. Secili qytetar, pavarësisht gjuhës e etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilët po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke theksuar se nuk mund të kujtohet shpallja e Pavarësisë pa përmendur kontributin e tyre në ndërtimin e shtetit.

“Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë”, ka thënë ai.

Kurti shtoi se ky përvjetor e gjen vendin në fillim të një mandati të ri qeverisës, me shumë sfida përpara, por me synime të qarta për forcimin e shtetit.

“Mësues e studentë, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Le t’i bëjmë krenar duke punuar e forcuar shtetin. Ne si kabinet qeveritar jemi vetëm instrument në realizimin e këtyre qëllimeve”, është shprehur ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb