MAQEDONI- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës ka nënshkruar një program bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë.

Marrëveshja “Programi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë”, është nënshkruar sot në Manastir nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi.

“Nënshkrimi i Programit është bërë në kuadër të Marrëveshjes për Bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës, e cila është nënshkruar në korrik të këtij viti në Vlorë, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, me synim përforcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve në këtë fushë”, thuhet në komunikatën e MASHT-it për media.

Në fjalën e tij, ministri Bajrami ka thënë se ky program ndërmjet dy ministrive për periudhën 2015-2018, është instrument i rëndësishëm për plotësimin e detyrimeve të ministrisë së tij në realizimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në arsim.

“Programi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë për periudhën 2015-2018 që e nënshkruam sot, është një instrument i rëndësishëm për të plotësuar detyrimet tona për realizimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në arsim dhe në shkencë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, të 2 korrikut 2015”, ka thënë Bajrami.

Ndërkaq, në ceremoninë e nënshkrimit të Programit, prezent kanë qenë edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila po ashtu, nënshkruajti të njëjtën marrëveshje me ministrin Ademi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb