Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të javës së 13-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, të cilat sollën duele mjaft interesante.

Drenica ka arritur fitore të madhe përballë Ballkanit në stadiumin “Bajram Aliu”, me rezultat 2:0.

Skuadra kuqezi ka vazhduar formën e mirë në kampionat, duke regjistruar fitoren e dytë në tri ndeshjet e fundit, krahas një barazimi.

Të dy golat vendasit i shënuan në pjesën e dytë. Fillimisht Udoyen Akpan shënoi në minutën e 65-të për epërsinë 1:0, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Kreshnik Uka realizoi edhe golin e dytë për rezultatin përfundimtar 2:0.

Falë kësaj fitoreje, Drenica ngjitet në pozitën e katërt të renditjes me 18 pikë, ndërsa Ballkani mbetet në vendin e dytë me 23 pikë.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Llapi është ndalur në barazim 1:1 ndaj Prishtinës së Re.

Skuadra e Tahir Batatinës nuk arriti të shfrytëzojë avantazhin e terrenit vendas për të marrë tri pikët, përkundër lojës sulmuese gjatë pjesës së dytë.

Mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e 14-të me golin e Elvis Prençit, ndërsa Arianit Hasani barazoi rezultatin në minutën e 51-të për Llapin, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund.

Ky barazim e mban Llapin në mesin e tabelës, ndërsa Prishtina e Re vazhdon të luftojë për t’u larguar nga pozita e fundit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb