Skuadra e Dritës ka shënuar fitore të rëndësishme në kuadër të javës së 23-të në AlbiMall Superligën e Kosovës, duke triumfuar me rezultat 3:0 ndaj Prishtinës së Re.

Skuadra gjilanase kaloi në epërsi në minutën e 34-t, kur realizoi Albert Dabiqaj. Pak para përfundimit të pjesës së parë, në minutën e parë shtesë, epërsinë e dyfishoi Liridon Balaj, duke i dhënë qetësi ekipit për pjesën e dytë të takimit.

Në pjesën e dytë, kampionia në fuqi e menaxhoi mirë lojën, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi përforcimi i janarit, ganezi Mike Arthur në minutën e 92-të.

Me këtë fitore, Drita vazhdon serinë e rezultateve pozitive në kampionat dhe rikthehet në krye të renditjes me 42 pikë, tri më shumë se Ballkani, që ndeshjen kundër Llapit e luan të hënën në “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Në anën tjetër, Prishtina e Re mbetet në vendin e nëntë me 22 pikë të grumbulluara.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb