Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para në kuadër të javës së 11-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, e ku fitoreve iu gëzuan skuadrat udhëtuese. Skuadra e Ballkanit realizoi fitore bindëse ndaj Malishevës, në stadiumin “Liman Gegaj”, me shifrat 5:0. Almir Kryeziu e hapi serinë e golave që në minutën e 7-të nga penalltia, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij.
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Orges Shehi u tregua edhe më efikase, me Bleart Tolajn që shënoi dy gola në minutat 47 dhe 61. Më pas, mesfushori brazilian Giovanni realizoi golin e katërt në minutën e 70, ndërsa Valentin Serebe vulosi rezultatin final në minutën e 76.
Kjo ishte fitorja e gjashtë për Ballkanin këtë sezon, që i siguron vendin e dytë me 22 pikë. Malisheva mbetet në pozitën e gjashtë me 13 pikë pas disfatës së gjashtë.
Tri pikëve si mysafir iu gëzua edhe Dukagjini, që u rikthye te fitorja pas dy humbjeve radhazi. Skuadra e Ismet Munishit arriti ta mposhtë Gjilanin e drejtuar nga Debatik Curri, me rezultat 2:0. Altin Mërlaku shënoi në minutën e 5-të me një supergol nga gjuajtja e lirë, ndërsa Basit Khalid vulosi fitoren për skuadrën klinase në minutën e 84-t.
Dukagjini tani ngjiten në vendin e katërt me 17 pikë, ndërsa Gjilani mbetet i teti me 11 pikë.
Ndeshjet e tjera zhvillohen nesër, e ku takohen: Llapi-Prishtina, Ferizaj-Prishtina e Re dhe Drenica-Drita.
