Java e 18-të e Albi Mall Superligës solli dy ndeshje interesante të shtunën dhe fitore me peshë për Prishtinën dhe Ferizajn.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtina regjistroi një fitore të rëndësishme me rikthim ndaj Drenicës, duke triumfuar me rezultat 2:1. Ndeshja nisi e baraspeshuar, me raste nga të dyja skuadrat, ndërsa mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 32-të, kur Ronaldo Chacón realizoi saktë nga pika e bardhë për 0:1.
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Afrim Tovërlani e rriti ndjeshëm presionin dhe arriti ta përmbysë rezultatin. Ramiz Bytyqi barazoi shifrat në minutën e 59-të, ndërsa goli i fitores u shënua në minutën e 78-të nga Mario Ilievski, duke i siguruar Prishtinës tri pikë shumë të vlefshme, pas një serie prej gjashtë ndeshjesh pa fitore.
Me këtë sukses, Prishtina ngjitet në pozitën e dytë të tabelës me 30 pikë, dy më pak se lideri Ballkani, ndërsa Drenica mbetet në vendin e tetë me 20 pikë.
Fitore të madhe para tifozëve të saj shënoi edhe Ferizaj, që e mposhti Llapin me rezultat 2:1. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 22-të me golin e Betim Haxhimusës, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazh minimal.
Në pjesën e dytë, Llapi reagoi dhe barazoi rezultatin në minutën e 63-të me golin e Muhamet Hysenit. Megjithatë, në minutat shtesë të takimit, Haxhimusa shënoi për herë të dytë, duke vulosur fitoren e Ferizajt me shifrat përfundimtare 2:1.
Pas kësaj fitoreje, Ferizaj e përmbyll edicionin vjeshtor në pozitën e nëntë me 19 pikë, ndërsa Llapi renditet i shtati me 21 pikë.
