Kampionia në fuqi e Kosovës, Drita, arkëtoi tri pikë të rëndësishme në udhëtim, duke e mposhtur Ferizajn me rezultat 1:0. Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Kristal Abazaj në minutën e 50-të, duke shënuar golin e tij të pestë në këtë edicion. Me këtë fitore, Drita ngjitet në vendin e tretë me 32 pikë, një më pak se Ballkani dhe Prishtina, ndërsa Ferizaj mbetet në pozitën e nëntë me 19 pikë.

Fitore të rëndësishme shënoi edhe Prishtina, e cila triumfoi në udhëtim ndaj Dukagjinit, me rezultat 1:0, në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Goli i fitores erdhi në minutën e 14-të me golin e Gjelbrim Taipit, gjuajtja e të cilit qëlloi shtyllën e më pas nga shpina e portierit Egzon Fekaj përfundoi në portë.

Me këtë fitore, Prishtina mban vendin e dytë me 33 pikë, ndërsa Dukagjini zbret në pozitën e katërt me 29 pikë.

Ndërkohë, ndeshja mes Drenicës dhe Llapit u mbyll pa fitues, me rezultat 1:1. Takimi u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, për shkak të gjendjes së rënduar të terrenit në Skenderaj pas vërshimeve të disa javëve më parë. Drenica kaloi e para në epërsi me golin e Ronaldo Chaconit në minutën e 17-të, por mbeti me një lojtar më pak nga minuta e 65-të, pas përjashtimit të Igball Jasharit. E këtë epërsi numerike në fushë Llapi e kapitalizojë në minutën e 82-të përmes Arbnor Ramadanit, duke barazuar shifrat dhe duke siguruar një pikë. Llapi renditet i shtati me 22 pikë, ndërsa Drenica e teta me 21 pikë.

Xhiroja e 19-të vazhdon të dielën, kur lideri Ballkani luan si mysafir ndaj Gjilanit, derisa Malisheva e pret Prishtinën e Re.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb