Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve politike në Kosova, duke i cilësuar zgjedhjet e parakohshme si pasojë e dështimit për të zgjedhur Presidentin dhe e mungesës së kompromisit mes forcave politike.

Milo, i ftuar në “Programin e drekës” në News24, me Ola Brukon, theksoi se situata e krijuar tregon se politika në Kosovë ka dalë nga trajektorja normale dhe po sillet në mënyrë të papërgjegjshme ndaj qytetarëve. Historiani shtoi se qeverisja nuk mund të bëhet përmes imponimit të shumicës, duke kritikuar ashpër mënyrën e vendimmarrjes.

Ai tha se përgjegjësia kryesore bie mbi mazhorancën, por nuk përjashtoi as rolin e opozitës në krijimin e ngërçit politik. Në analizën e tij, Milo paralajmëroi për rrezikun e përqendrimit të pushtetit në një dorë, duke e cilësuar këtë si një ide të rrezikshme për demokracinë.

“Është për të ardhur keq, që në të gjitha pikëpamjet po ndodh kjo gjë. Duket se Kosova dhe politika atje kanë dalë jashtë trajektores politike dhe sillen si aktorë të papërgjegjshëm. Klasa politike në Kosovë ka arritur në këtë nivel që nuk përfaqëson as minimumin e ndërgjegjes politike për të gjithë ata qytetarë që i votojnë. S’dua të përdor terma kategorikë për të treguar sjelljen e tyre, por është veprim i papërgjegjshëm. Ka të bëjë me interesin kombëtar. Kushdo që të jetë në pushtet, duhet të ketë aftësinë që të bëjë kompromiset e duhura. Nuk qeveriset me dhunë të kartonave. Nuk mund të qeverisësh me një vullnet që nuk të çon asgjëkund. Fajin më të madh e ka ai që qeveri, por të dyja kanë faje. Ideja për të grumbulluar pushetet në një dorë, është ide e rrezikshme. S’të lë të gjykosh me parametra normalë, etja për pushtet e bën një parti politike që të dalë jashtë normave. Ndërkombëtarët duket se janë lodhur duke u marrë me Kosovën. Për Kosovën në radhë të parë, por dhe me shqiptarët në përgjithësi. Fakti që kryeministri i vendit nuk dëgjon dhe të bëjë një kompromis që të lëshojë pe për hir të vendit, kjo dëshmon që ata janë lodhur dhe nuk mund të them se nëse ata do të vazhdojnë të këshillojnë, apo do e lënë Kosovën të lirë. Shqiptarët po shfaqin një reagim normal të ligjshëm, ndaj asaj çka po ndodh në Kosovë. Mund të ishte gjetur një kandidaturë tjetër konsensuale meqë s’u dha për Vjosa Osmanin.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: