Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar sot një takim me  kryetarët e komunave, lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, proces i cili ka nisur sot dhe do të zgjasë deri më 17 maj.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha se cilësia e të dhënave nga pyetësorët janë vendimtare për cilësinë e qeverisjes, si qendrore ashtu edhe lokale.

“Angazhimi ynë i përbashkët është i domosdoshëm për të adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe është baza për vendime të cilat do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës. Cilësia e të dhënave nga pyetësorët është vendimtare për cilësinë e qeverisjes, si qendrore ashtu edhe lokale, për planifikim e zbatim më të drejtë e suksese e arritje edhe më të mëdha”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se këto të dhëna do të ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët.

“Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Republikën e Kosovës ka filluar sot. Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullësisë, kushtet e jetesës e nivelin e edukimit do të na ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët, neve si qeveri, ju si komuna dhe çdo institucioni të Republikës sonë. Po e mbështesim ASK’në, që është njëherazi bartës i projektit të regjistrimit, me qëllim që regjistrimi të jetë cilësor, profesional dhe gjithpërfshirës”, tha Kurti.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: