Kryeministri Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jehona Politike”, ka deklaruar se Kosova është bërë me vullnetin e vet peng i Serbisë.

Sipas Ramës, Kosova nuk ka më asnjë lidhje me Serbinë dhe nuk duhet ta ketë fare parasysh Beogradin në rrugën e saj drejt të ardhmes.

“Për mua, Kosova e ka fituar luftën, por duhet ta fitojë edhe paqen. Dhe për ta fituar paqen, duhet të sistemohet në tryezën e bashkësisë demokratike. Kjo është e gjitha. Për ta arritur këtë, nuk duhet të shohë fare nga Beogradi, nuk duhet të mendojë për Serbinë, dhe as të interesohet për pretendimet e saj. Kosova duhet të bëjë detyrat e veta për veten dhe për të ardhmen e vet, jo për serbët”, tha Rama.

Ai theksoi se këto detyra lidhen si me dialogun, ashtu edhe me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse në tryezën e dialogut janë ‘x’ pika për t’u përmbushur, Kosova duhet t’i realizojë në mënyrë unilaterale dhe të ecë përpara. S’ka rëndësi çfarë bën Serbia – kurrë mos i bëftë, s’ka asnjë problem”.

Në përfundim, Rama tha se nëse Kosova i përmbush të gjitha obligimet ndërkombëtare dhe Serbia jo, atëherë ajo fiton të drejtën legjitime për t’i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të merret me Beogradin.

“Në atë moment, Kosova u thotë të gjithëve: ‘Shkoni merruni me Serbinë, unë dua vendin tim, dua rrugën time, dua vëmendjen time’”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb