Analisti Ben Andoni, i ftuar në studion e News24 me gazetaren Ola Bruko, ka komentuar mbi procesin zgjedhor në Kosovë, duke analizuar qeverisjen e Albin Kurtit dhe sfidat e mandatit të tij të dytë.
Sipas Andonit, Kurti e shfrytëzoi plotësisht mandatin e dytë, duke prezantuar një program me synime të qarta, si krijimi i një fondi sovran, zhvillimi i brendshëm i Kosovës dhe dialogu me Serbinë. Megjithatë, ai vlerësoi se këto premtime nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.
“Kosova ende mbahet nga remitancat. Po të analizosh ndarjen e të ardhurave publike, e kupton drejtimin e politikave të Kurtit. Shëndetësia dhe arsimi kanë marrë shumë pak investime, duke lënë për të dëshiruar,” tha Andoni.
Ai shtoi se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet e pashmangshme për Kosovën, duke nënvizuar se ky është një realitet politik me të cilin qeveria duhet të përballet.
“Kurti ka një problem të madh që bart nga mandati i dytë. Në mandatin e parë e ka shfrytëzuar shumë pak kohë, ndërsa në të dytin e ka shfrytëzuar të plotë. Në mandatin e dytë solli një program interesant, me një fond sovran, dialogu me Serbinë, zhvillimi i brendshëm i Kosovës. Kosova sot e kësaj dite mbahet me remitancat. Po të shohësh si janë ndarë të ardhurat publike e kupton politikën e Kurtit. Shëndetësia dhe arsimi lënë shumë për të dëshiruar dhe treguan se investimet nuk ishin të mjaftueshme. Kosova duam apo nuk duam duhet ta bëjë asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Andoni.
(BalkanWeb)