Albuena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, u zgjodh kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Për kandidaturën e saj, votuan 66 deputetë.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu mbajti fjalën e parë si kryetare e re e Kuvendit të Kosovës.
“Ju falënderoj për besimin e dhënë në udhëheqjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sot e marr këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mbart dhe me respekt të thellë për vullnetin e qytetarëve që na kanë sjellë këtu.
Këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë por po ashtu edhe me përkushtim të plotë”, tha Haxhiu.
Kuvendi ka miratuar raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve të legjislaturës së dhjetë me 118 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari tha se ky komision do të shqyrtojë dokumentacionin përkatës për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja të mbajtura me 28 dhjetor 2025 dhe Kuvendit t’i paraqesë raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit si dhe verifikon kuorumin në seancën themeluese të legjislaturës së dhjetë.
Ai tha se kryesuesi i Komisionit të Përkohshëm duhet të jetë nga Lëvizja Vetëvendosje me numrin më të madh të deputetëve.
