Të mërkurën u zhvilluan ndeshjet e para të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në futboll, ku Dukagjini dhe Ferizaj triumfuan si mysafirë, duke bërë hapa të mëdhenj drejt finales, pasi ndeshjet e kthimit do t’i luajnë në shtëpi më 22 prill.
Në stadiumin e qytetit në Suharekë, Dukagjini zhvilloi një paraqitje dominuese ndaj Ballkanit, duke fituar me rezultat bindës, 3:0. Trajneri Arsim Thaqi dhe skuadra e tij e surprizuan kundërshtarin me lojë të shpejtë dhe efikase. Serinë e golave e hapi Hekuran Berisha, në minutën e 8-të, kur shënoi një supergol pas asistimit të Mërgim Pefqelit.
Në minutën e 37-të, Dukagjini fitoi penallti pas prekjes me dorë të Bajram Jashanicës, e konfirmuar edhe nga VAR-i. Mërgim Pefqeli ishte i saktë nga pika e bardhë për 2:0. Ndërkaq, në minutën e 96-të, Meris Maliqi vulosi rezultatin 3:0 me një kundërsulm të shpejtë, duke e kaluar portierin kundërshtar dhe duke vendosur topin në rrjetë.
Ky rezultat i jep Dukagjinit mundësinë për të arritur finalen e katërt të Kupës së Kosovës në histori të klubit.
Në gjysmëfinalen tjetër, Ferizaj iu gëzua fitores në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë ndaj Llapit, me rezultat 2:1. Ndeshja nisi keq për llapjanët, që në minutën e 14-të e panë vetën në disavantazh pas autogolit të Muhamet Hysenit.
Për epërsinë 2:0 të ferizajasve u përkujdes Kushtrim Shabani në minutën e 87-të. Ndërkohë, Llapi e ngushtoi rezultatin në minutën e 4-t të lojës shtesë, me golin e Besar Musollit, duke e mbajtur skuadrën e tij me shpresa për finale.
