Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar pak minuta më parë aktgjykimin e plotë, i cili pritet t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit. Kështu, pritet të rifillojë seanca e fundit parlamentare, e cila deri më tani nuk ishte e mundur për shkak të masës së përkohshme që pezullonte vendimmarrjen e Kuvendit.

“Në bazë të vendimit: me 6 vota për dhe 1 kundër, urdhërohet Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës të miratuar më 8 prill 2025 dhe, në përputhje me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit. Kandidati/ja do të zgjidhet përmes votimit të hapur, i cili mund të përsëritet deri në tre herë për të njëjtin emër”, thuhet në aktgjykimin e publikuar sot.

Gjykata vlerësoi se deputetët e Kuvendit nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe, për pasojë, “të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme”.

Po ashtu, Kushtetuesja theksoi se “Kryesuesi i Seancës Konstituive nuk ka vepruar në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25 të 26 qershorit 2025, dhe veprimet e tij janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës”.

Kujtojmë se dhjetë ditë më parë, Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar që kryeparlamentari i ri duhet të zgjidhet vetëm me votim të hapur, ndërsa një kandidaturë nuk mund të votohet më shumë se tri herë.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka insistuar që votimi për kryetarin e Kuvendit të bëhej i fshehtë, edhe pse procedura fillestare ishte nisur me votim të hapur.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb