Është hapur për qarkullimin e këmbësorëve ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Ura e re u përurua nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe kreu i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

Kurti tha se me hapjen e kësaj ure për këmbësorë, “rritet qarkullimi dhe të ketë sa më shumë mobilitet në Mirovicë, në këtë qytet kaq të rëndësishëm për Republikën tonë”.

Sipas Kurtit, ky ndërtim paraqet “zhvillim dhe progres”.

Kurti tha se ura mbi Ibër nuk ka përkatësi etnike dhe se ajo lidh pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës.

“Ne jemi këtu për t’i bashkuar njerëzit, që të ketë tregti, bashkëpunim ekonomik, bashkëpunim kulturor… Kjo urë nuk është kundër askujt, kjo urë është për të gjithë. Ura është për këmbësorë, jo për automjete, por për njerëzit që lëvizin në këmbë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, hapja e kësaj ure përkon me nisjen e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit nuk arriti të sigurojë shumicën në parlament për formimin e një ekzekutivi të ri pas zgjedhjeve të rregullta që u mbajtën në shkurt.

Ndërkaq, Durmishi kujtoi se më 26 gusht ishte hapur për qarkullim një urë tjetër mbi Ibër, dedikuar për automjete.

“Sot po e shënojmë hapjen e një vepre hidraulike dhe artisitike, jo vetëm thjesht një urë për këmbësorë por një vepër arti”, tha Durmishi.

Ndërtimi i kësaj ure u bë pas një memorandumi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb