Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit mbi tre orësh me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, se nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve.

“Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike, e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe funksionim të Republikës”, tha Kurti.

Ai shtoi se koha për arritjen e një marrëveshjeje është shkurtuar dhe pa të, vendi rrezikon sërish të shkojë në zgjedhje.

Ndërkaq, duke hyrë në Kuvend, Kurti deklaroi se ai ka mbështetje të mjaftueshme për Kuvendin dhe Qeverinë, por “për zgjedhjen e presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita”.

LDK-ja ka thënë se është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve të reja. Megjithatë, partia e Abdixhikut ka thënë se dëshiron marrëveshje për tri institucionet: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.

Abdixhiku, ndërkaq, nuk është prononcuar për media se çfarë pret nga ky takim.

Ai ishte i shoqëruar nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, dhe ish-presidentja Vjosa Osmani.

Takimi vjen dy ditë para mbajtjes së seancës konstituive për legjislaturën e njëmbëdhjetë.

Më herët, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se në takimin me Abdixhikun po shkonte me “me vullnet të mirë, me gatishmëri për marrëveshje”.

Kurti po ashtu tha se në takim do të ishte edhe anëtari i kryesisë së LVV-së, Hekuran Murati.

“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me Aleancën nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, tha Kurti më herët gjatë 4 gushtit./REL/

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb