Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është finalizuar me sukses një operacion i gjerë kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit.
Ky operacion, i realizuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe institucione të tjera relevante, ka çuar në arrestimin e disa zyrtarëve të lartë të dyshuar për përfshirje në veprime të paligjshme.
Sveçla sqaroi se arrestimet janë realizuar pas një hetimi disamujore, ku janë siguruar prova të forta për keqpërdorime dhe korrupsion që lidhen me procesin e shpronësimit të pronave private. Sipas tij, ky operacion është një hap i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke dërguar një mesazh të qartë për ata që shkelin ligjin.
Në mesin e të dyshuarve janë kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, me inicialet J.M., zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D., eksperti i gjykatës Sh.T., një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve, zyrtari i ATK-së G.L., si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, me inicialet F.I.
Sipas dyshimeve të autoriteteve, personat e përfshirë kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës. Dyshohet se përmes korrupsionit kanë inicuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës për të përfituar në mënyrë të paligjshme kompensime për shpronësime të realizuara gjatë viteve 2011–2015.
“Sot po i japim fund kohës kur zyrtarët publikë keqpërdornin buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar”, ka deklaruar Sveçla, duke përgëzuar institucionet për, siç tha ai, një sukses tjetër në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Ai theksoi se vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfshirja e qytetarëve po sjellin rezultate konkrete drejt ndërtimit të një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të mbrojtur nga çdo formë e krimit.
