Banorë të pakënaqur nga komuna e Graçanicës, afër Prishtinës, për të dytën ditë me radhë kanë protestuar para institucioneve shëndetësore, që funksionojnë në sistemin e Serbisë, për shkak të “punësimeve partiake dhe familjare”, duke kërkuar anulimin e konkurseve dhe rishikimin e tyre.

Bëhet fjalë kryesisht për pozitat që janë shpallur nga Ministria e Shëndetësisë së Serbisë në fund të janarit, të cilat Lista Serbe partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit i ka përmendur edhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të Kosovës të mbajtura më 9 shkurt.

Duke theksuar se Lista Serbe është e vetmja parti që ka mbështetjen e shtetit serb, kryetari i saj, Zllatan Elek, ka deklaruar gjatë fushatës zgjedhore se “në të kaluarën, shteti i Serbisë ka siguruar një numër të madh të vendeve të punës dhe kjo është një nga mënyrat për të mbijetuar në Kosovë.

Por disa banorë të Graçanicës tani po pretendojnë se vendet e punës i kanë fituar ekskluzivisht personat e afërt me Listën Serbe, duke theksuar se përfaqësuesit lokalë u kishim premtuar vende pune “deri në momentin e fundit”, dhe se disa nga ata që janë punësuar, as që jetojnë në Kosovë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb