Një seancë gjyqësore të premten kundër tre të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës në shtator 2023 – është shtyrë për të hënën për shkak të mungesës së dëshmitarit të thirrur nga Prokuroria.
Gjyqtari Arben Hoti tha se dëshmitari A2, i cili ishte paraparë të dëgjohej gjatë tërë ditës, mungon, prandaj e shtyu seancën për të hënën, raporton Betimi për Drejtësi.
“Konstatoj se për shkak të mungesës së dëshmitarit nuk ka kushte për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor”, tha Hoti.
Disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dëshmuar për prokurorinë deri më tani prej se filloi rasti “Banjska” më 17 prill.
Dëshmitë e dy policëve – si ndodhi sulmi në Banjskë?
Ata kanë dëshmuar se si janë përballur me një grup serbësh të armatosur kur ishin sulmuar natën e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë kolegu i tyre, rreshteri Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Në Gjykatën Themelore për këtë rast janë duke u gjykuar Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, tre nga 45 të akuzuarit për sulmin në Banjskë.
Që të tre të akuzuarit i mohuan akuzat para gjykatës dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.
Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.
(BalkanWeb)
