KOSOVË- Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se grupi strategjik për hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me procesin e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë është konstituuar dhe ka nisur punën.

Në një konferencë për media, Konjufca bëri me dije se janë miratuar rregullat e funksionimit të grupit dhe është krijuar një grup punues, i cili do të mbledhë dhe harmonizojë propozimet e dokumentet e përgatitura nga institucionet e Kosovës.

Sipas ministrit, në këtë proces janë përfshirë përfaqësues të Qeverisë, Presidencës, Kryesisë së Kuvendit, katër grupeve parlamentare, si dhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë.

Konjufca njoftoi se mbledhja e ardhshme do të zhvillohet pasnesër dhe do të zgjasë gjatë gjithë ditës. Gjatë saj pritet të shqyrtohen dokumentet e institucioneve, me qëllim hartimin e një strategjie të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse.

Ai theksoi se punimet e grupit do të zhvillohen në mënyrë konfidenciale dhe se edhe dokumenti përfundimtar mund të mos jetë plotësisht i aksesueshëm për publikun.

“Veprimtaria e këtij grupi do të jetë goxha konfidenciale. Punimet tona nuk mund të jenë të hapura dhe mënyra se si do ta merrni produktin e asaj që ne prodhojmë mund të jetë edhe në një masë pak e kufizuar. Kjo më vjen keq që është kështu, por për shkak të natyrës së qëllimeve që do të arrijë ky grup strategjik, qëllimi është që ta fitojmë rastin”, deklaroi Konjufca.

Strategjia synon të koordinojë veprimet e institucioneve të Kosovës në procesin e Apelit në Hagë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: