Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha raportohet se është sulmuar fizikisht nga një person. Sipas mediave në Kosovë, Hoxha është sulmuar së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e tyre të mitur. Ngjarja mësohet se ka ndodhur dje më 1 gusht në orën 18:10 në fshatin Zlipotok të Dragashit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se rreth orës 18:30, Policia është njoftuar nga QKMF-ja në Dragash se një person është paraqitur me lëndime trupore, të cilat i kishte marrë si pasojë e një përleshjeje .

“Viktima, pas marrjes së ndihmës së parë, është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku sipas raportit të mjekut, ka pësuar lëndime të lehta trupore. Rastit i janë përgjigjur menjëherë patrullat e Stacionit Policor në Dragash si dhe njësiti i hetimeve, në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit rajonalë, për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Sipas informacioneve të para, viktimat janë: qytetari A.H, mashkull, bashkëshortja e tij dhe vajza e tyre e mitur”, ka theksuar Bytyqi.

Ai ka deklaruar se motivi i incidentit mbetet ende i paqartë ndërsa i dyshuari është arrestuar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb