PRISHTINË – Lëvizja Vetëvendosje do të kërkojë të shtunën, shkarkimin e Ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jablanoviç dhe mbrojtjen e pasurisë kombëtare, kompleksit “Trepça”.
Nëpërmjet njoftimeve të shpërndara sot në të gjithë Kosovën, veçanërisht nëpërmjet rrjeteve sociale, “Vetëvendosja” thekson se “historia jonë dhe ekonomia jonë nuk janë çështje për të cilat mund të vendosë Beogradi.”
“Shteti dhe Republika e Kosovës nuk mund të zhvillohet sa kohë Qeveria e Kosovës mbetet peng e njerëzve që marrin direktiva nga Beogradi, – thuhet në njoftim. – Jabllanoviçi dhe Lista Serbe shtiren sikur nuk e dinë që ka pasur krime dhe masakra në Kosovë. Sulmin mbi historinë tonë Serbia e vazhdon edhe me sulme mbi ekonominë tonë, me ç’rast duan ta copëtojnë Trepçën, për ta varfëruar edhe më tej vendin. Historia jonë dhe ekonomia jonë nuk janë çështje për të cilat mund të vendosë Beogradi. Pas dy protestave të mëdha të organizuara në qytetin e Gjakovës kundër deklaratave të Jabllanoviqit, si dhe pas shumë protestave dhe aksioneve të tjera të mbajtura në qytete të ndryshme të vendit, ditën e shtunë, në Prishtinë Lëvizja “Vetëvendosje” dhe “Thirrjet e Nënave” organizojnë protestën e madhe mbarëpopullore për shkarkimin e ministrit Jabllanoviq dhe në mbrojtje të pasurisë kombëtare, kompleksit Trepça. Protesta fillon nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë.
I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, organizatave joqeveritare, sindikatave, partive politike dhe anëtarësive të tyre, pra të gjithëve pa dallim, që të bashkohen në këtë protestë deri në realizimin e kërkesave të përbashkëta: Jabllanoviç jashtë! Trepça është e jona,” – thuhet në përfundim të thirrjes për protestë.
Ministri serb Aleksandar Jablanoviç (në foto)i Qeverisë së Kosovës, ka deklaruar pak ditë më parë se “është pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeveritar, që çështjet si kjo e Trepçës të zgjidhen edhe me pajtimin e palës serbe. Qëllimi jonë është që Trepça të punojë edhe më mirë se sa punon tani dhe jo t’i ndryshohet pronësia në mënyrë të njëanshme”.
(ar.sh/BalkanWeb)
