Të premten në mesnatë ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe verifikimit të votave që kanë ardhur nga jashtë vendit në Kosovë.

Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi i cili tha se nesër pritet të filloj numërimi i votave që kanë ardhur përmes postës, së bashku me ato me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.

Elezi tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me punën intensive për përfundimin e aktiviteteve që po zhvillohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Aktualisht në QNR është duke u bërë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka marrë vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe të premtën në mesnatë, sipas planifikimeve, është përmbyllur procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, deri më tani janë rinumëruar rreth 88% apo 487 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre.

“Po punohet maksimalisht që deri në përfundim të ditës së sotme të përmbyllim procesin e rinumërimit. Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së të premtën në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt. Sipas të dhënave preliminare, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe. Këto janë vetëm të dhëna preliminare, sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen këtu në QNR”, thuhet në njoftim.

Siç tha Elezi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve nesër pritet të fillojë me numërimin e rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta, si dhe votat e ardhura përmes postës.

“Po punojmë shumë që nesër gjatë ditës të mund të fillojmë me numërimin e rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta. Pastaj, edhe numërimin e votave të cilat kanë ardhur përmes postës”, ka thënë Valmir Elezi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb