Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë mandatin e deputetit kandidatit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Tedi Mula, pas dorëheqjes së 12 kandidatëve të listës së mbyllur për Qarkun e Tiranës.

Në një deklaratë për mediat, Komisioneri Ilirjan Celibashi konfirmoi se janë dorëzuar në mënyrë zyrtare 12 deklarata nga kandidatët e PSD-së, të cilët heqin dorë nga e drejta për të përfituar mandatin parlamentar.

“Janë depozituar 12 deklarata të 12 kandidatëve të listës së mbyllur të PSD për Qarkun e Tiranës. Kemi të bëjmë me dorëheqje nga e drejta për të marrë mandatin dhe jo nga kandidimi. Në këto kushte, duke qenë se KQZ është e detyruar të respektojë vullnetin e tyre, mandati i shkon kandidatit me më shumë vota, Tedi Mula,” deklaroi Celibashi.

Vendimi vjen pas një periudhe tensioni dhe paqartësie mbi përfaqësimin e PSD-së në Kuvend, si dhe debateve të brendshme për mënyrën e administrimit të mandatit të vetëm të fituar nga kjo forcë politike në zgjedhjet e 11 majit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb