(Në brendësi mund të lexoni rekomandimin e plotë të KQZ)

 

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar sot Kuvendit rekomandimet e nevojshme për të përmirësuar Kodin Zgjedhor, siç thuhet nga KQZ.

KQZ i kërkon Kuvendit ndër të tjera, të marrë në dorë monitorimin e financimit të partive politike në fushatë. Sipas KQZ-së, këto parti nuk i vënën në dispozicion të publikut të ardhurat e tyre dhe kjo tregon mungesë përgjegjësie dhe transparence. Në rekomandim sqarohet se në këtë drejtim ‘nevojitet një dispozitë e posaçme ligjore”.

Duke u nisur nga mangësitë e vërejtura në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, KQZ shprehet se ka organizuar 5 tryeza teknike me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, të cilat synojnë përmirësimin e aspekteve të ndryshme të
organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve, forcimin e rolit institucional të KQZ së, me qasje
rekomandime për përmirësime të mundshme të Kodi të Zgjedhor në aspekte të cilat shenjojnë standardet e procesit zgjedhor.

“Këtë paketë që bën bashkë mendimin teknik dhe propozimet e aktorëve e faktorëve zgjedhorë: të KQZsë, partive politike, shoqërisë civile, medias, grupeve të interesit dhe ekspertëve teknikë, KQZ-ja ka nderin dhe privilegjin t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë, duke shprehur falenderime dhe mirënjohje për mbështetjen e dhënë nga partnerët
ndërkombëtarë, dhe për të gjithë pjesëmarrësit e tryezave që me angazhimin(përfshirjen), mendimin dhe idetë e tyre dhanë kontribute të çmuara për hartimin e saj. KQZ, duke vlerësuar se ky diskutim gjithpërfshirës, përmbyllur me këtë paketë propozimesh që i përcillet Kuvendit të Shqipërisë, përmbush një nga rekomandimet e rëndësishme të OSBE/ODIHR-it të vitit 2011 që në diskutimin mbi reformën zgjedhore duhet të përfshihen jo vetëm partitë politike, por gjithashtu dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), autoritetet përkatëse shtetërore dhe grupet e interesit, shprehet besim plotë për vëmendjen Tuaj ndaj sugjerimeve dhe rekomandimeve të paraqitura me synim përmirësimin e ligjit zgjedhor në një reformë të mundshme zgjedhore”, thekson KQZ.

 

Kështu, KQZ parashikon një sërë rekomandimesh për ushtrimin e votës nga personat me aftësi të kufizuara, për rritjen e pjesëmarrjes së grave në organet e zgjedhura, për fushatën zgjedhore, për financimin e partive në fushata dhe në vit kalendarik, etj.

Përsa i përket financimit të partive politike gjatë fushëtës KQZ vëren se “Publikimi i informacioneve financiare nga vetë partitë politike duhet të rregullohet nga dispozita ligjore të posaçme dhe të monitorohet nga KQZ-ja.
Partitë politike në Shqipëri nuk vënë në dispozicion të publikut, anëtarëve, apo votuesve të dhënat e tyre financiare. Një gjë e tillë shihet si treguesi kryesor i mungesës së përgjegjësisë dhe transparencës. Nevojitet një dispozitë e posaçme ligjore për të rregulluar publikimin e këtyre informacioneve nga vetë partitë politike. Për këtë qëllim, duhet të ndryshohet neni 23 i ligjit “Për partitë politike”. Duhet të përfshihen dispozita të qarta në ligj për të bërë ndarjen ndërmjet formatit të raportimit vjetor financiar për partitë nga raportimi i financave të fushatave zgjedhore gjatë viteve zgjedhore. Ligji duhet të parashikojë afate të prera për dorëzimin e raporteve në KQZ nga partitë politike si dhe detyrimin e KQZ-së për t’i publikuar këto raporte brenda afateve të mirëpërcaktuara. Nga ana tjetër, Kodi Zgjedhor duhet të përmbajë një dispozitë mbi“raportimin” e financimit të fushatës zgjedhore. Neni 23/4 i ligjit “Për partitë politike” i referohet raportimit të financave të fushatës zgjedhore, por kjo nuk është ende e parashikuar në Kodin Zgjedhor. Për këtë qëllim, paragrafi 4 i nenit 23 të ligjit “Për partitë Politike” duhet ndryshuar. Formati aktual i auditimit i përcaktuar me ligj është tepër i detajuar dhe e bën voluminoze punën e auditimit. Duhet kërkuar një formë “më e zhveshur” e bilanceve, që përmban atë çka është e rëndësishme, si për shembull të ardhurat, shpenzimet, huatë, etj.Specialistët e Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar të Shqipërisë (IEKA)rekomandojnë që në ligj të përmendet standardi kontabël i njohur si “EVR” (ExpenditureVerificationReport). Ky standard duhet të vendoset në ligj si rregull i përgjithshëm dhe KQZ-së, në bashkëpunim me IEKA-n, duhet t’i jepet kompetenca të miratojë rregullat dhe rregulloret teknike që plotësojnë kuadrin ligjor.Për këtë qëllim, paragrafi 5 i nenit 23 të ligjit “Për Partitë Politike” dhe neni 91 i Kodit Zgjedhor duhen ndryshuar”, rekomandon KQZ.

(ma.ar/BalkanWeb)

 

Rekomandimet KQZ

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: