Tregu i punës në Shqipëri po përballet me një rritje të ndjeshme të krahut të huaj të punës, një fenomen që eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj e konsideron normal në këtë fazë.
Danaj në intervistë për News24 tha se Shqipëria ka nevojë për fuqi punëtore kryesisht fizike, ndërsa mungesa e integrimit i shtyn këta punëtorë të kërkojnë mundësi në Evropën Perëndimore.
Shqipëria shërben gjithashtu si trampolinë për emigrimin drejt vendeve më të zhvilluara. Në këtë kontekst, tregu i punës mbetet sfidues, ndërsa duhet përqendrim në zhvillimin afatgjatë të sektorëve si turizmi.
Eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj: Tregu i punës në Shqipëri ka nevojë për njerëz, që bëjnë punë fizike kryesisht. Krahu i huaj që po vjen në vend është në rritje, 2 përqind është aktualisht dhe është shifër normale si fillim. Mungesa e integrimit në shoqëri bën që këta njerëz të largohen drejt Europës Perëndimore. Është normale që forca e punës të jetë e ulët, sepse Shqipëria nuk është një vend i zhvilluar.
Shqipëria përdoret më tepër si trampolinë për të shkuar në Perëndim. Nëse flasim për turizmin, plazhet në jug në fillim të gushtit ishin gjysmë të boshatiura. Këto episode të shëmtuara nuk na nevojiten, duhet të mendojmë për turizmin si ta zhvillojmë në mënyrë afatgjatë.
(Balkanweb)
