NGA: OLA MITRE*
I gjithë personeli shënde tësor, i cili është pjesë e ciklit të dytë të edukimit në vazhdim (mjekë, farmacistë, stomatologë, infermierë, ndihmësfarmacistë dhe mami) mund të përfitojnë kredite nga aktivitete të paakredituar paraprakisht nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Bëhet fjalë për regjistrimin e krediteve nga botimet në revista shkencore, botim i teksteve mësimore, recensimi i botimeve, udhëheqje e oponenca shkencore, ndjekje e praktikave profesionale, stafet profesionale, shkencore në shërbimet klinike të QSUTsë, postera, abstrakte apo konferenca, trajnime dhe seminare të zhvilluara jashtë Shqipërisë.

Për secilin prej tyre, Vendimi i Këshillit të Ministrave i cili përcakton në detaje kriteret për profesionistët e shëndetësisë, parashikon një numër të caktuar kreditesh që mund të sigurohen, të cilin e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Po ashtu, VKM-ja saktëson edhe numrin e krediteve që do të sigurohet nga profesionisti i shëndetësisë për aktivitetet e vetëraportuara, që kryhen në mënyrë individuale nga profesionisti pranë QKEV-së. Profesionisti mund të deklarojë programet e multimedias, të studimit të literaturës profesionale ose vizitat studimore që ka kryer gjatë një viti kalendarik në funksion të përmbushjes së nevojave të tij profesionale, si dhe orët aktive të përfshirjes së tij në këto aktivitete. Përllogaritja e krediteve për aktivitete të kësaj kategorie bëhet sipas një ndarjeje të veçantë, të cilën gjithashtu, e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Ndërkaq, sa i takon procedurës së regjistrimit të këtyre krediteve, saktësohet se kërkesa për njohjen e tyre duhet bërë individualisht nga profesionisti, pranë QKEV-së.

Ndërkohë që, “Gazeta Shqiptare” publikon sot formatin e saj dhe të formularit për vetëraportimet. Të dyja dokumentet kërkojnë plotësimin e të dhënave personale si dhe disa të dhëna rreth vendit dhe datës së zhvillimit të aktivitetit, ku keni marrë pjesë. Ndërsa për botimet kërkohen të dhëna në lidhje me numrin e autorëve apo vitin e botimit. Dokumentet që duhet të paraqiten në rastet e artikujve, kapitujve të librave ose librave, janë fotokopje të kapakut të revistës ose librit, si dhe fotokopja e faqes së parë të artikullit ose kapitullit. Në rastet kur profesionisti ka hartuar kurrikula universitare ose pasuniversitare, dokumentet që duhet të paraqiten janë një vërtetim nga fakulteti përkatës dhe një fotokopje e faqes së parë të tyre.

KUSHTET
Cikli i dytë i edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë do të zgjasë 4 vjet, ndërkohë që numri i krediteve që duhet të grumbullojnë gjatë kësaj periudhe ka pësuar ulje në krahasim me ciklin e parë. Sipas rregullave të reja, detyrimin për të mbledhur kredite, përveç mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve do e kenë edhe infermierët, ndihmësfarmacistët dhe mamitë. Gjithashtu, vendimi i qeverisë saktëson se brenda një cikli 4-vjeçar, mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Deri më tani, detyrimi për mjekët ishte 150 kredite, ndërsa për farmacistët dhe stomatologët nga 100 kredite, përgjatë ciklit 5-vjeçar.

Sipas vendimit të qeverisë, procesi i certifikimit të ndihmësfarmacistëve, infermierëve dhe mamive filloi nga data 1 janar 2016. Ndërkaq, ashtu sikurse ishte përcaktuar gjatë ciklit të parë, profesionistët e shëndetësisë, të cilët nuk mbledhin numrin e kërkuar të krediteve, do t’i nënshtrohen provimit të certifikimit e nëse nuk e kalojnë me sukses, humbasin të drejtën e ushtrimit të profesionit.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: