Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut amerikan Donald Trump se mund të zbuste kërkesat territoriale ndaj Ukrainës në këmbim të rajonit të Donetskut. Këtë e raporton gazeta britanike Financial Times, duke u bazuar në katër burime të informuara për bisedën që dy presidentët zhvilluan dje në Alaskë.
Putin tha se në këmbim të rajonit të Donetskut, Moska mund të ngrinte vijën e frontit në rajonet e Khersonit dhe Zaporizhias, duke u ndalur nga nisja e ofensivave të reja për të marrë territore të tjera. Trump më pas i përcolli këtë propozim presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësve evropianë, sipas burimeve të Financial Times.
Nëse kërkesa ruse për rajonin e Donetskut pranohet, Moska do të merrte kontrollin e plotë mbi një territor që e ka pushtuar në pjesën më të madhe që nga viti 2014. Aktualisht, Ukraina kontrollon më pak se një të pestën e rajonit, dhe forcat ruse po avancojnë me shpejtësi.
Megjithatë, gazeta britanike raporton nga burime pranë presidentit ukrainas se Zelensky nuk do të pranojë të dorëzojë rajonin e Donetskut. Ai do të ishte i gatshëm të diskutonte për këtë çështje territoriale me Trump gjatë takimit të tyre të planifikuar për të hënën në Uashington.
Sipas po të njëjtat burime, lideri ukrainas është i gatshëm të diskutojë këtë temë edhe në një takim trilateral me Trump dhe Putin.
