Në minutat e fundit, Kremlini ka njoftuar se Putin dhe Trump do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të tyre në Alaska të premten.
Ndihmësi presidencial Yuri Ushakov konfirmoi gjithashtu se të dy presidentët do të zhvillojnë një bisedë fillestare kokë më kokë me përkthyes, me pesë anëtarë të secilit delegacion që do të bashkohen më pas.
Takimi do të fillojë në orën 11:30 sipas kohës lokale (21:30 GMT) dhe kohëzgjatja e bisedimeve do të varet nga se si do të shkojë diskutimi, tha Ushakov.
Një konferencë e përbashkët për shtyp do të mbahet në fund të samitit
Ukraina do të jetë tema kryesore e takimit, por udhëheqësit do të diskutojnë edhe çështje të tjera, të tilla si bashkëpunimi dhe tregtia SHBA-Rusi.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës do të jetë në krye të axhendës, sipas këshilltarit për politikën e jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, të cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.
Përveç Ushakovit në delegacionin e nivelit të lartë rus do të jenë ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, ministri i Mbrojtjes Andrey Belousov, ministr i Financave Anton Siluanov dhe kryenegociatori i Kremlinit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kirill Dmitriev.
Takimi do të mbahet në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Anchorage, qyteti më i madh i Alaskës, dhe do të jetë përballja e parë mes dy udhëheqësve që nga marrja e detyrës nga Trump në janar dhe që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës nga Putini në shkurt 2022.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatët e tij evropianë po e ndjekin me shqetësim rezultatin e takimit, mes frikës se bisedimet mund të çojnë në një marrëveshje për lëshime territoriale ndaj Rusisë, të cilat Kievi i ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike.
