Largimi i Neymar, Cristiano Ronaldos apo edhe tratativat për Luca Modric, kanë bërë që kreu i “La Liga-s” në Spanjë, Javier Tebas, të shpërthejë në akuza ndaj disa klubeve në Europë.
Tebas akuzon Paris SG, Juventus dhe Manchester City-t, si ekipe të cilat po destabilizojnë merkaton, ndërsa më të rëndë kanë qenë akuzat për Inter, klub që sipas numrit 1 të “La Liga-s” në Spanjë nuk ka para, por i gjen ato në mënyra ende të paditura.
“Trajnerë të mëdhenj si Guardiola dhe Murinjo janë larguar, dhe LA Liga ka vazhduar që të rritet. Dihet që do donim që Ronaldo të qëndronte, por gjithashtu do më pëlqente edhe një lojtar si Levandovski. Por, në këto kohë, duhet të pyesim veten pse ka klube që shkaktojnë inflacion në treg, duke na blerë lojtarë, gjëra që nuk ndodhin thjesht sepse ne bëjmë gabime, por sepse në vende të tjera e lejojnë që diçka të tillë të ndodhë.
I referohem PSG-së, por gjithashtu edhe Juventusit me blerjen e Ronaldos, apo ofertës që Interi, klub që nuk ka para, të ofrojë aq shumë për Modriç. Nuk e kuptoj se nga vijnë këto para. Marifete në merkato? Për Juven nuk e di, por oferta e Interit për Modriç, pa dyshim që ka disa marifete të fshehura. Po ashtu, edhe kalimi i Nejmarit te PSG. Dua të them, se i gjithë klubi i PSG-së, vepron me të tilla marifete, njësoj si Mançester Siti, dhe gjëra të tilla sjellin destabilizimin e tregut dhe të merkatos.” – deklaroi kreu i LA Liga-s për “Abc” në Spanjë.
(BalkanWeb)
