Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të shtunën se Evropa duhet të rrisë shpenzimet e saj. Kreu i aleancës e mbajti fjalimin në Konferencën e Sigurisë në Mynih ku u bëri thirrje anëtarëve evropianë të NATO-s, të dalin me propozime dhe ide konkrete, të shtojnë shpenzimet, të vazhdojnë trajnimi dhe furnizimin me armë.

Ai shtoi se objektivi aktual i vendeve të NATO-s prej 2% shpenzimesh për mbrojtjen ka të ngjarë të zëvendësohet me një shifër shumë të lartë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë të thonë se Evropa nuk shpenzon mjaftueshëm për mbrojtjen.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha të shtunën në Konferencën e Mynihut se Evropa do të duhet të bëjë zgjedhje dhe sakrifica të vështira për t’u përballur me kërcënimet ndaj saj dhe për të garantuar sigurinë e saj.

“Duhet të përgatitemi. Do të na duhet të përballemi me ditë të vështira, të marrim vendime të ndërlikuara dhe madje edhe sakrifica të cilat nuk i prisnim deri më tani për të garantuar këtë siguri,” tha zoti Barrot, duke folur para gazetarëve.

Ministri Barrot tha gjithashtu se pas një takimi me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, mendon se administrata amerikane është ende duke formuar opinionin e saj mbi mënyrën se si SHBA duhet ta trajtojë krizën e Ukrainës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb