“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i dënon aktet e dhunës dhe terrorit dhe askush nuk ka të drejtë në emër të çdo lloj ideologjie të marrë jetët e njerëzve”.

Kështu ka deklaruar ndër të tjera kreu i KMSH-së, Skënder Bruçaj në aktivitetin që organizoi myftinia e Shkodrës me rastin e 25-vjetorit të rihapjes së Xhamisë së Plumbit. Kryetari i KMSH- së shkoi më tej duke mallkuar të gjithë ato persona që kryejnë akte terroriste.

“Ditët e sotme,fatkeqësisht, në vende të ndryshme të botës po përjetojmë akte dhune e terrori. Komuniteti Mysliman Shqiptar i dënon bindshëm aktet e terrorit kudo që ndodhin, në Siri, Irak, Palestinë e së fundmi në Francë. Askush nuk ka të drejtë në emër të çfarëdo ideologjie, të marrë jetën e një njeriu që e ka falë Zoti. Mbi të gjitha, askush nuk ka të drejtë ta atashojë terrorin me fenë e paqes, me fenë islame. Jo në emër të myslimanëve, jo në emrin tonë, ne nuk është mirë të mallkojmë myslimanët por në qoftë se duhet të bëjmë një mallkim, duhen mallkuar të gjithë ata persona që kryejnë akte terroriste, e mbi të gjitha ato persona që përdorin terroristët për veprat e tyre të liga dhe qëllimet e tyre keqdashëse. T’i lutemi Zotit të na sjellë paqe,mirësi, qetësi ,begati kudo në botë”, tha Bruçaj.

Ndërsa Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari në nderim të viktimave të panumërta të terrorizmit lexoi disa versete Kur’ anore për shpirtrat e tyre. Besimtarët mysliman janë përshëndetur edhe nga Arqipeshkvi i Shkodër, Pult Imzot Angjelo Massafra.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb