Sekretari i Thesarit të SHBA, Scott Bessant beson se Elon Musk, i cili njoftoi 2 ditë më parë krijimin e “Partia e Amerikës”, duhet të inkurajohet të përqendrohet tek bizneset e tij në vend të përfshirjes në politikë.

“Mendoj se bordet e drejtorëve të kompanive të ndryshme do të donin që ai të kthehej në ato biznese, ku ai është më i mirë se kushdo tjetër”, tha Scott Bessant për CNN në përgjigje të pyetjes nëse lëvizja e Musk e shqetësonte administratën Trump.

Presidenti amerikan dhe bosi i Tesla u përplasën për të ashtuquajturin “projektligji i madh dhe i bukur”, i cili, sipas miliarderit, do të falimentojë SHBA-në dhe kërcënoi të krijojë një parti politike nëse miratohet.

Të shtunën ai e përmbushi kërcënimin e tij duke njoftuar krijimin e Partisë së Amerikës.

“Duke u zhytur edhe më thellë në politikë (…) Musk po bën pikërisht të kundërtën e asaj që aksionerët/investitorët e Teslës duan që ai të bëjë në këtë kohë kritike në historinë e Teslës”, tha Dan Ives, një analist.

“Ndërsa mbështetësit kryesorë të Musk do ta suportojnë atë në çdo hap, ekziston një ndjenjë e përgjithshme lodhjeje midis investitorëve të Teslës e lidhur me këmbënguljen e Musk në rrugën politike”, thotë analisti, duke vënë në dukje se lehtësimi fillestar nga largimi i tij prej Doge ishte jetëshkurtër.

“Situata mori një kthesë për keq”, me këtë njoftim vijoi ai.

Në tregtimin elektronik jashtë Bursës së Nju Jorkut, aksionet e Teslës, të cilat kohët e fundit ishin në rritje, ranë me 0.85%.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb