Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili së fundmi tha se “strategjia e SPAK ka parandaluar krimin zgjedhor”. Sipas Balliut, kjo deklaratë nuk përfaqëson drejtësinë, por propagandën politike të mazhorancës.

“Kur Altin Dumani del e thotë se ‘strategjia e SPAK ka parandaluar krimin zgjedhor’, nuk flet si kryeprokuror, por si avokat i regjimit. Kjo nuk është drejtësi, është propagandë,” tha Balliu në një deklaratë për mediat.

Ai e akuzoi SPAK-un se ka zgjedhur të heshtë përballë asaj që e cilësoi si një “krim kombëtar”: manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit dhe dhunimin e pluralizmit në Shqipëri.

Balliu iu referua pamjeve të publikuara nga lideri i opozitës, Sali Berisha, për të argumentuar se “krimi elektoral jo vetëm që nuk është parandaluar, por është organizuar me bekimin e institucioneve të drejtësisë së kapur”.

“Mjafton të shohësh videot që ka publikuar lideri i opozitës, për të kuptuar se krimi elektoral është realitet i trishtë. Mjafton të analizosh rezultatet absurde si rasti i Sara Milës apo Arken Ballës, për të kuptuar se kutitë janë mbushur, jo votuar,” u shpreh ai.

Balliu akuzoi më tej Partinë Socialiste për ngritjen e zyrave elektorale ilegale në fushatë, të cilat sipas tij janë zhdukur nga dosjet e drejtësisë si të mos kishin ekzistuar kurrë.

“Deklarata e Dumanit nuk është gafë, por një akt politik. Është përpjekje për të mbuluar krimin zgjedhor,” tha Balliu.

Deputeti demokrat e mbylli reagimin e tij me akuzën se SPAK është tashmë “pjesë e krimit elektoral” dhe jo institucioni që duhet ta ndëshkojë atë.

Reagimi:

Kur Altin Dumani del e thotë se “strategjia e SPAK ka parandaluar krimin zgjedhor”, nuk flet si kryeprokuror, por si avokat i regjimit. Kjo nuk është drejtësi, është propagandë.

Mjafton të shohësh videot që ka publikuar lideri i opozitës, Sali Berisha, për të kuptuar se krimi elektoral jo vetëm nuk është parandaluar, por është organizuar nën bekimin e institucioneve të drejtësisë së kapur.

Mjafton të analizosh rezultatet absurde si rasti i Sara Milës apo Arken Ballës për të kuptuar se kutitë janë mbushur, jo votuar.

Mjafton të kujtosh zyrat elektorale ilegale, të ngritura në mënyrë mafioze nga PS, që sot janë zhdukur nga dosjet e drejtësisë si të mos kishin ekzistuar kurrë.

Deklarata e Dumanit nuk është gafë, por një akt politik. Një përpjekje për të mbuluar një krim kombëtar: vjedhjen e zgjedhjeve dhe dhunimin e pluralizmit.

SPAK ka zgjedhur të heshtë përballë krimit elektoral, sepse është bërë pjesë e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb